Hacktivity 2011 po afrohet

Më 17 dhe 18 Shtator, 2011 do të mbahet konferenca më e madhe e hakerëve në Evropën Qendrore dhe atë Lindore . Kjo konferencë e njohur me emrin Hacktivity...

Më 17 dhe 18 Shtator, 2011 do të mbahet konferenca më e madhe e hakerëve në Evropën Qendrore dhe atë Lindore . Kjo konferencë e njohur me emrin Hacktivity këtë vit do të mbahet në Millenaris. Gjatë dy ditëve sa do të zgjasë kjo konferencë do të ketë prezantime, seminare, lojëra, finalet e Olimpiadës Botërore Kibernetike (Global CyberLympics), ndeja gjatë mbrëmjes, si dhe mbi 1000 pjesëmarrës hakerë nga gjithë bota.

Hacktivity 2011, është konferenca e 8-të me radhë dhe kësi soji konsiderohet si konferenca më e vjetër dhe më e ndërkombëtarizuar në Hungari për fushën e IT sigurisë. Si edhe në konferencat e kaluara edhe në këtë konferencë do të ketë folës nga më të njohurit e IT sigurisë. Të arrish të prezantosh në këtë konferencë konsiderohet si arritje profesionale e ekspertëve nga fusha e IT sigurisë, prandaj është bërë tashmë traditë që folësit e interesuar për të prezantuar në konferencë të aplikojnë për tu përzgjedhur si folës. Këtë vit ka pasur mbi 60 aplikues nga 15 vende të ndryshme dhe nga juria janë përzgjedhur 28 më të mirët.

Ngjashëm , me konferencat e viteve të kaluara, edhe këtë vit do të jenë dy folës shumë të njohur nga fusha e IT sigurisë.

Të shtunën si folës kryesor do të jetë Peter Szore i lindur në Hungari por që jeton në SHBA, i cili me të drejtë quhet babai i mbrojtjes ndaj viruseve kompjuterike. Libri i tij prej 650 faqesh i titulluar “Arti i hulumtimit dhe mbrojtjes nga viruset kompjuterike” (The Art of Computer Virus Research and Defense), i publikuar së fundmi në Hungari, jo vetëm që është mjaft shkencor por është edhe libri më gjithëpërfshirës për viruset kompjuterike deri më sot. Peter Szor ka diplomuar si specialist i IT-së në Universitetin Veszprem të Hungarisë, ku edhe krijoi programin e parë të tij kundër viruseve kompjuterike në vitet e 90-ta të quajtur Pasteur (programi ishte përdorur nga Banka OTP në atë kohë). Më 1996 ai u punësua nga paraardhësit e F-Secure në Finland, pastaj më 1999 ai u bë inxhinier kryesor tek Symantec dhe së fundmi ai iu bashkua McAfee-s. Në CARO (Organizatën e Hulumtuesve të AntiVirusëve Kompjuterikë) ai ka punuar së bashku me shumë hulumtues të njohur nga fusha e sigurisë kompjuterike si John McAfee, Mikko Hypponen apo Eugene Kaspersky. Peter Szor është autor i mbi 40 zbulimeve dhe patentave për zbulimin e viruseve kompjuterike dhe parandalimin e ndërhyrjeve qëllimkeqe në rrjetet kompjuterike.

Të dielën si folës kryesor do të jetë Raoul „Nobody” Chiesa nga Italia, ekspert i njohur evropian për krimet kibernetike. Gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta ai ishte njëri ndër hakerët e parë italian, më pas në vitin 1997 ai themeloi Mediaservice.net, kompani këshilluese për siguri. Që nga viti 2003 ai ka bashkëpunuar me agjencinë e Kombeve te bashkuara “UNICRI“(Instituti i krimit ndër rajonal të Kombeve të Bashkuara dhe Instituti Kërkimor i Drejtësisë) dhe në vitin 2010 është përzgjedhur në mesin e 30 top ekspertëve evropian të sigurisë për të asistuar drejtorin e ENISA-s(Agjencia e Rrjetit Evropian të Informimit dhe Sigurisë ) deri më 2012 në grupin e përhershëm te palëve aksionare (PSG).

Ndërsa në listën e folësve ndërkombëtar përfshihen edhe Vivek Ramachandran, themeluesi i securitytube.net, që do të vjen nga India, Joseph McCray, veteran i forcave ajrore dhe fitues i shumë çmimeve nga EC-Council (Këshillit Ndërkombëtar së Konsulentëve në Fushën e Elektronikës), do të vjen nga SHBA, Ertunga Arsal dhe Alexander Kornbrust nga Gjermania, Pavol Luptak nga Sllovakia si dhe Michele Orru nga Italia. Përveç folësve ndërkombëtar do të ketë edhe folës nga Hungaria si Csaba Barta, Laszlo Toth, Laszlo Klock, Peter Bodor etj.

Përveç këtyre folësve dhe kohës së rezervuar për ta pjesëmarrësit i presin edhe shumë aktivitete tjera si seminare hyrëse, lojëra, një mbrëmje zbavitëse gjatë së shtunës si dhe finalet e Olimpiadës Botërore Kibernetike (Global CyberLympics). Gjatë konferencës specialistët e certifikuar për CISA, CISM, CISSP, mund të grumbullojnë pikë CPE të domosdoshme për licencat e tyre. Duke parë interesimin e lartë këtë vit pritet të marrin pjesë rreth 1,000-1,200 pjesëmarrës. Po ashtu konferenca do të mbahet në një lokacion të ri këtë vit, në një hapësirë profesionale prej 4590m2 , me një restorant, dy salla të mëdha dhe disa të vogla. Salla më e madhe ka kapacitet për 1000 persona.

Duke parë listën e folësve dhe agjendën e aktiviteteve gjatë kësaj konference është një rast ideal për ekspertët dhe të a pasionuarit shqiptar të sigurisë kompjuterike, që të marrin pjesë në këtë konferencë.

Në adresë të itShqip kohë më parë ka arritur edhe ftesa nga organizatorët e konferencës, të cilët madje janë duke ndihmuar që të arrijmë të pajisemi me viza dhe kësisoj të përcjellim nga afër konferencën dy ditore të Hacktivity 2011. Pra ka mbetur vetëm përgjigjja nga ambasada hungareze në Prishtinë që të arrihet kjo gjë. /itshqip

Për informacione tjera si dhe për tu regjistruar vizitoni: www.hacktivity.com ./itshqip

Categories
Lajme
One Comment
  • NoOlY
    13 September 2011 at 18:09
    Leave a Reply

    Shpresoj qe te kene rastin edhe stafi e ITShqip te jene prezent aty dhe te marrin ligjerata dhe trajnime atje dhe te na e prezantojne neve qe skemi rastin te jemi aty, jemi krenar qe kemi kesi djem sikurse stafi ITShqip qe edhe ftohen dhe jane te njohur per punen e tyre…..gjithe te mirat…

  • Leave a Reply

    *

    *

    This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

    RELATED BY