KHG (Kosova Hackers Group) intervist per gazeten “TUNG” ne zvicer.

Pjesëtarët e Kosova Hackers Group(KHG) flasin për luftën virtuale dhe shfaqin ndjenjat e tyre. Kur shpërtheu lufta e vërtetë, lufta e armatosur, lufta çlirimtare e viteve ’98-’99, djemtë që...

Pjesëtarët e Kosova Hackers Group(KHG) flasin për luftën virtuale dhe shfaqin ndjenjat e tyre.

Kur shpërtheu lufta e vërtetë, lufta e armatosur, lufta çlirimtare e viteve ’98-’99, djemtë që tani përbëjnë Grupin e Hakerëve të Kosovës(Kosova Hackers Group-KHG), ishin ende fëmijë. Nuk mund të luftonin edhe po të donin.

Tash, të rritur e në moshën e tyre më të mirë, inteligjentë e modernë, përveç punëve që bëjnë, i kanë vënë vetes një mision shtesë-mbrojtjen vullnetare të ueb-faqeve zyrtare kosovare dhe interesit kombëtar shqiptar nga sulmet e mundshme të hakerëve serbë, por edhe individëve dhe organizatave tjera, kushdo që të jenë.

Njohës të mirë të shkencave kompjuterike dhe informatikës, të shpërndarë nëpër vende të ndryshme, kanë bashkuar forcat mendore për t’i dalë zot atdheut elektronik. Vazhdojnë ta ruajnë traditën e luftërave shqiptare-nuk kanë sulmuar dhe nuk sulmojnë kurrë të parët dhe pa arsye. Vetëm mbrohen dhe kthejnë goditjet. Kundërsulmojnë.

Për gazetën “Tung” lirshëm dhe rrjedhshëm tregojnë sukseset e “betejave”.

Tung: Lufta e armatosur me Serbinë duket se ka përfunduar, por lufta virtuale vazhdon. Ju po mbroni vullnetarisht ueb-atdheun tonë. Sa është vështirë?

KHG: Po e vërtetë është që lufta e armatosur ka përfunduar, kurse lufta virtuale ka vazhduar edhe me tej mes nesh dhe hakerëve serbë, luftë e cila zhvillohet me njohuri në fushën e informatikës dhe ueb hapësirës në internet.

Fakt është që ne vullnetarisht po mbrojmë faqet shqiptare, respektivisht faqet e institucioneve. Veprojmë në mënyrë që të parandalojmë këto sulme dhe mundohemi të mendojmë sikur serbët. Pasi kështu parandalojmë më shumë sulme ndaj faqeve shqiptare, që dëmet të jenë minimale.

Këtë e kemi bërë për të ngritur sigurinë e faqeve shqiptare në nivel më të lartë dhe sigurisht që kjo është një punë e lodhshme.

Duhet cekur se ne veprojmë sipas ndjenjave tona patriotike dhe  dashurisë së madhe që kemi ndaj popullit tonë shqiptar, të vuajtur me shekuj. Ky është një motiv që ngrit edhe me shumë moralin tonë, përpos njohurive që kemi.

Tung: Jeni njëfarëlloj UÇK-je virtuale. Tashmë njihni metodat sulmuese të hakerëve serbë. Sipas jush cili nga këta dy popuj është më i dijshëm në fushat e shkencave kompjuterike?

KHG: Një vlerësim të këtillë nuk mund ta japim dhe nuk mundemi të vlerësojmë në përgjithësi se cili nga këta dy popuj është më i dijshëm në këtë fushë,  nëse mendoni për fushën e  informatikës, por nëse e keni fjalën për sulmet në aspektin e botës së hackingut, këtë mundemi të e vërtetojmë që shqiptarët(KHG) e zënë vendin e parë dhe janë shumë më përpara se serbët.

Tung: Përpara luftohej me armë e nëpër istikame. Po lufta juaj si bëhet?

KHG: Lufta jonë bëhet me anë të njohurive në fushën e infomatikës dhe bazohet në mbrojtje, respektivisht në sulme. Domethënë sulmojmë, ose godasim atëherë kur është e nevojshme, por asnjëherë nuk jemi ne të parët që nisim luftën. Gjithmonë kemi sulmuar si kundërpërgjigje ndaj hakerëve serbë dhe si rezultat i kësaj institucionet serbe kanë pësuar dëme të mëdha. Nuk do të thotë që nuk sulmojmë edhe për gjëra tjera, sulmojmë po ashtu edhe për të shprehur ndonjë pakënaqësi, ose mospajtim me ndonjë çështje, atëherë kur ne të vlerësojmë se këto dëmtojnë interesat shqiptare ose gjendjen tonë si komb.

Tung: Shpesh paralajmëroni institucionet se ndonjëra nga faqet zyrtare mund të sulmohet. Cilat janë parashenjat se një faqe e caktuar mund të jetë cak i sulmeve, si mund të mbrohet ajo dhe a mund të parandalohen sulmet?

KHG: Parashenjat që ndonjë faqe mund të sulmohet janë të thjeshta, për shembull, nëse serbët zbulojnë një vrimë në ndonjë prej faqeve të institucioneve, të njëjtën dhe do e sulmojnë. Tani, ne pasi ta shohim që është sulmuar një faqe institucioni do bëjmë një ndërhyrje dhe do zbulojmë se në çfarë mënyre kanë arritur ta bëjnë-sulmojnë(deface) faqen. Pasi ta zbulojmë këtë, do e njoftojmë firmën që ka zhvilluar këto faqe dhe do u tregojmë ku i kanë lëshimet, në mënyrë që edhe faqet tjera me të njëjtin skript (cms) mos të bien pre e këtyre sulmeve. Nëse këta persona nuk do marrin ndonjë hap për të parandaluar sulmet, atëherë ne do detyrohemi, personalisht të vendosim mesazhe paralajmëruese për sulme të mundshme nga ana e serbëve në ato faqe, siç e bëmë këtë edhe në faqen e kryeministrit të Kosovës.

Tung: Hakerët kudo nëpër botë ndiqen edhe ligjërisht, prandaj ju zyrtarisht jeni të padukshëm. A ndiheni ndonjëherë si ueb-engjëj mbrojtës të shtetit?

KHG: Jo nuk ndihemi si ueb-engjëj, por kryejmë punën aq sa kemi mundësi dhe kohë. Kur sulmohen faqet shqiptare ndihemi të lënduar, dhe shumë të revoltuar, sepse uebmasterët e tyre nuk ndërmarrin masat e duhura për të siguruar faqet, edhe pse paraprakisht kanë marrë ndonjë paralajmërim nga ne(KHG).

Hakerët ndiqen ligjërisht, kjo është e vërtetë dhe këtë e kemi parasysh çdoherë kur bëjmë ndonjë sulm ndaj faqeve ose serverëve serbë.

Prandaj po vendosëm të sulmojmë faqet serbe, do marrim punën me seriozitet, dhe do mbrohemi maksimalisht. Këtë e bëjmë sepse na ka ndodhur në të kaluarën të kemi probleme me organet policore.

Në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni ende janë të hapura disa raste dhe kërkohemi nga autoritetet e këtyre shteteve për zbulimin dhe zbardhjen e tyre.

Tung: Jeni njerëz me identitet të dyfishtë si shumë heronj filmash e stripash, duke qenë se njihni mirë teknologjinë informative, sa jeni futur në sistem, sa keni mundur të jeni pjesë e rrjeteve shtetërore kompjuterike?

KHG: Ashtu edhe siç veprojnë shumë heronj filmash e stripash duke mbrojtur të mirët dhe shkatërruar të këqinjtë, ashtu veprojmë dhe ne, duke mbrojtur rrjetet shtetërore shqiptare dhe duke shkatërruar ato serbe. Siç dihet këta heronj gjithmonë arrijnë atë çfarë deshirojnë dhe kjo nënkupton që nuk e kanë fare problem të jenë pjesë e rrjeteve shtetërore kompjuterike e të mirëve ose edhe e të këqinjve.

Tung: Jeni të rinj, modernë, të informuar për të rejat. E bëni luftën tuaj nga karrigia e kompjuterit. A “vrisni” butësisht(killing softly) dhe a i thoni vetes kur keni sukses: “My name is Bond. James Bond?”

KHG: Te ne nuk dallon nëse “vrasim” butësisht ose në ndonjë mënyrë tjetër. Thjesht, mundohemi ta kryejmë punën me sukses, të mos na mbetet ndonjë gjurmë pas nesh. Kuptohet, mundohemi të jemi si “vrasës” profesionistë, duke maskuar gjurmët tona. Pas sukseseve nuk bëjmë diç të tillë si: “My name is ….”. E kryejmë punën tonë dhe vazhdojmë më tutje, sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Tung: Kur ndizet më shumë lufta virtuale me serbët dhe sa zgjat paqja me ta?

KHG: Lufta ndizet më shumë kur afrohet ndonjë festë e rëndësishme shtetërore. Për shembull kishim përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, kur hakerët serbë filluan të sulmojnë faqet shqiptare, por nuk kishin mundësi të bënin shumë, sepse ne paraprakisht kishim marrë lajme se po përgatiten sulme nga ana e tyre dhe arritëm të mbrojmë shumë faqe shqiptare dhe si kundërsulm ju uruam atyre përvjetorin e pavarësisë në disa faqe të rëndësishme serbe.

Paqe me ta nuk kemi që nga viti 2008 kur ishim dakorduar të ndalojmë sulmet të dyja palët, por ishin po ata serbët që filluan persëri të sulmojnë dhe nga atëherë nuk ekziston ndonjë armëpushim me ta në këtë sferë.

Tung: Cilat janë fjalët më të shpeshta e më të dashura që shkruani kur theni ueb-faqet e rëndësishme serbe?

KHG: Fjalët më të rëndësishme kur thyejmë ueb faqet e institucioneve serbe, janë të shumta, por kryesore është ajo që çdoherë ua cekim se Kosova është e Pavarur. Kur thyejmë faqet e institucioneve serbe, gjithashtu vendosim logon tonë, me të cilën simbolikisht dallohemi nga grupet tjera, logo të cilën tashmë pothuajse çdo serb ka arritur ta njohë, dhe e cila  është bërë tmerr per uebmasterët sllavë. Në logon tonë mbretërojnë ngjyrat kuq e zi, në njërën anë është harta e Shqipërisë Etnike, kurse në tjetrën anë një pjesë e shqiponjës. Ne gjithmonë shkruajmë edhe nofkat tona personale, për t’ua bërë me dije se nga kush janë sulmuar (boom3rang – [email protected] – KHG – cHs dhe nofkën e të ndjerit redc00de).

Tung: Cilat janë sukseset tuaja më të mëdha dhe a do të përfundojë ndonjëherë kjo luftë?

KHG: Sukseset më të mëdha të KHG-së janë shumë, pothuajse tetëdhjetë për qind të faqeve institucionale serbe janë sulmuar nga ne. Do i cekim vetëm disa nga ato: Faqja e Parlamentit të Serbisë, e Ministrisë së Financave, e Ministrisë së Vetëqeverisjes, e Ministrisë së Shëndetësisë, e Ministrisë së Mbrojtjes,  e Ministrisë së Minierave dhe Energjetikës, e Ministrisë së.Sportit, etj. Kemi thyer edhe faqet e ushtrisë,  faqen e Boris Tadiqit, pastaj faqen e aerodromit të Serbisë, atë të televizionit më të madh të tyre B92 dhe shumë faqe tjera të rëndësishme serbe, duke u nisur nga personalitet e njohura e deri te  uebfaqet e firmave serbe dhe portaleve më të njohura në Serbi.

Tung: Nëse veproni nga vende të ndryshme, a mblidheni ndonjëherë live për t’u parë dhe për t’u njohur me njëri-tjetrin?

KHG: Po veprojmë nga vende te ndryshme, dhe së paku një ose dy herë në vit takohemi për të biseduar edhe live. Edhe pse shumica prej nesh jemi të punësuar dhe kemi obligime të shumta, do e gjejmë gjithmonë kohën e nevojshme për t’u takuar së paku një herë në vit, mos më shumë.

Tung: A ka femra në mesin tuaj, ndonjë shotegalicë uebsërfiste?

KHG: Jo femra nuk kemi në mesin tonë, por nuk do të thotë që në të ardhmen nuk do të inkuadrojmë ndonjë shotegalicë, sigurisht nëse i plotëson kushtet e nevojshme dhe ka njohuri të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e grupit tonë.

Ja edhe ne formatin pdf, intervista ndodhet ne faqen 24.
www.tung.ch/red/T38.pdf

Bekim Muhaxheri

 

RELATED BY