Shfletuesi nga AVAST, lëshim serioz sigurie

Kohëve të fundit kompani të ndryshme kanë filluar të lansojnë shfletues interneti të bazuar në shfletuesin me kod të hapur, Chromium. Madje ata pretendojnë se shfletuesit e tyre janë shumë më të mirë dhe më të sigurt se sa vet shfletuesi Chromium. Por nga testimet e fundit të bëra nga ekspertë të sigurisë kjo del të mos jetë e vërtetë.

Njëri nga këta shfletues është edhe Avast SafeZone, i cili ndryshe njihet edhe si shfletuesi Avastium. Ky shfletues instalohet si pjesë e antivirusit me pagesë nga Avast. Tavis Ormandy është emri i ekspertit të sigurisë që e ka zbuluar këtë lëshim të sigurisë tek Avastium. Përmes këtij lëshimi personat keqdashës mund të marrin nën kontroll të plotë shfletuesin Avastium. Në momentin që merret nën kontroll shfletuesi atëherë personat keqdashës mund të qasen tek skedarët, cookies, fjalëkalimet, etj.

Ormandy e ka njoftuar kompaninë Avast në muajin Dhjetor rreth këtij lëshimi, ndërsa tanimë e ka bërë publike për të gjithë. Sipas këtij eksperti personi keqdashës përmes këtij lëshimi mund të arrijë deri tek leximi i çdo skedari në diskun e viktimës, madje edhe mund të i’a dërgoj vetës këta skedarë, shkruan itshqip.com.

Ky lëshim sigurie është raportuar tek Avast me datën 18 Dhjetor, ndërsa rregullimin e këtij lëshimi Avast e ka bërë tani duke lëshuar version e ri të Avast (versionin 2016.11.1.2253). Ormandy gjithashtu ka zbuluar lëshime serioze të sigurisë edhe tek shfletuesi Chromodo nga Comodo, i cili gjithashtu bazohet në shfletuesin me kod të hapur Chromium.

Avast dhe Comodo nuk janë kompanitë e vetme nga fusha e sigurisë të cilat kanë lansuar shfletues të “sigurt” të cilët vijnë si pjesë e antiviruseve të tyre me pagesë. Do të jetë mjaftë interesante nëse Ormandy nuk ndalet me kaq dhe vazhdon të i testojë edhe shfletuesit e tjerë që bazohen në shfletuesin me kod të hapur Chromium.

Edhe një ekspert tjetër i sigurisë, Joxean Koret ka zbuluar lëshime të sigurisë në disa nga produktet e lansuara nga kompanitë e antiviruseve. Ai nëpërmjet rrjetit social Twitter ju ka sugjeruar njerëzve që mos ti përdorin këta shfletues.

Madje një gjë të tillë e ka bërë edhe vet Tavis Ormandy i cili i ka porositur këto kompani duke ju thënë se shitja e programeve kundër viruseve (antiviruset) nuk ju kualifikojnë që të lansoni edhe shfletues interneti e aq më tepër ti quani ata si tepër të sigurt./itshqip.com

Related Posts