Spitali amerikan dorëzohet para hakerëve, paguan mbi 15 mijë euro

spitali amerikan ransomware
Ransomware është një lloj virusi i krijuar nga hakerët, i cili kufizon qasjen në sistemin kompjuterik që ai infekton duke enkriptuar të gjithë skedarët dhe për dekriptimin e këtyre skedarëve hakerët kërkojnë një shpërblim në mënyrë që ata të japin kodet e dekriptimit.

Viktimë e këtij lloji të virusit, ka rënë edhe spitali amerikan “Hollywood Presbyterian” i cili ka disa ditë që është përballur me këtë lloj virusi i cili madje po thuajse e ka bërë tërësisht jofunksional këtë spital duke enkriptuar gjithçka në rrjetin kompjuterik të këtij spitali dhe për kodet e dekriptimit hakerët kanë kërkuar një shpërblim me Bitcoin.

ransomware

Spitali ka ditë që është munduar të zgjidhë këtë problem duke angazhuar ekspertë të informatikës nga më të njohurit në Amerikë por pa arritur sukses në këtë drejtim. Në fund si zgjidhja e duhur është parë dorëzimi para këtyre hakerëve duke ju paguar shpërblimin e kërkuar, shkruan itshqip.com.

Për të marrë kodet e dekriptimit, spitali ju ka paguar hakerëve si shpërblim 40 Bitcoins (mbi 15 mijë euro). Këtë e ka pohuar edhe pronari i spitalit Allen Stefanek, i cili ka thënë se ata kanë ardhur deri tek ky vendim pasi që e kanë parë si zgjidhjen e vetme.

Ndoshta për ndokënd duket si vendim i gabuar, por duke shikuar rastet e ngjashme të infektimeve me lloje të tilla të viruseve, duket se ky vendim ka qenë i duhuri.

Kohë më parë edhe FBI kishte sugjeruar se mënyra më e mirë për të larguar këtë problem është të paguhet shpërblimi i kërkuar nga hakerët. Viteve të kaluara shumë kompani të ndryshme që janë përballur më këto lloje të viruseve kanë paguar shpërblimin e kërkuar nga hakerët, madje në vitin 2013 edhe Departamenti i Policisë në Massachusetts ishte infektuar me ransomware, dhe për të marrë kodet e dekriptimit i kishte paguar hakerëve një shpërblim prej rreth 700 eurove./itshqip.com

Related Posts