Sulmohen ueb faqet qeveritare të Egjiptit dhe Jemenit

Një grup përdoruesish nga 4chan, që veten e quajnë grupi “Anonymous”, gjatë kësaj jave kanë sulmuar ueb faqet qeveritare të Egjiptit dhe Jemenit. Rreth 500 pjesëmarrës nga ky grup...

Një grup përdoruesish nga 4chan, që veten e quajnë grupi “Anonymous”, gjatë kësaj jave kanë sulmuar ueb faqet qeveritare të Egjiptit dhe Jemenit. Rreth 500 pjesëmarrës nga ky grup morën pjese në këto sulme që vendosën jashtë funksioni ueb faqen e Ministrisë se Informacionit si dhe ueb faqen e partisë në pushtet atë të Partisë Demokratike Kombëtare në Egjipt. Ndërsa ueb faqet e vendosura jashtë funksioni në Jemen përfshijnë ueb faqen e Ministrisë së Informacionit, atë të zyrës së taksave, si dhe atë të Presidentit në detyrë që një kohë të gjatë qëndron në pushtet, Ali Abdullah Saleh.
Mënyra që kanë përdorur për të vënë jashtë funksioni këto uebfaqe është e njëjta mënyrë që kanë përdorur ky grup për të vënë jashtë funksioni uebfaqet e kompanive të kredit kartelave si Visa dhe MasterCard në dhjetorë 2010, për shkak se kanë ndalur procesin e donacioneve për faqen e Wikileaks.
Ata kanë përdorur programin sulmues të njohur me emrin Low Orbit Ion Cannon apo LOIC, program nëpërmes te cilit lëshohen sulme DOS ndaj një ueb faqeje të caktuar duke e mbingarkuar atë me trafik që rezulton me vënien jashtë funksioni të ueb faqes.
Me sa duket cak i sulmeve të këtij grupi janë ueb faqet qeveritare të shteteve nga bota arabe ku janë duke u zhvilluar protesta antiqeveritare, ngase muajin e kaluar grupi ka vënë jashtë funksioni ueb faqet qeveritare tuniziane, shtet ky ku u zhvillua një kryengritje për të rrëzuar nga pushteti diktatorin e vendit, Zine el-Abidine Ben Ali.
Një ngjarje e tillë është duke ndodhur aktualisht në Egjipt, ndërsa Jemeni është në radhë.
Në Egjipt vetëm tani është rikthyer qasja në internet, ngase për rreth 5 ditë qasja në internet ka qenë e bllokuar, ndërsa në Jemen vështirë se do të vërehet puna e grupit “Anonymous” ngase në këtë shtet qasje në internet kanë vetëm rreth 5% e popullsisë.

RELATED BY