Sistemi i ri operativ nga Microsoft, Windows 10, ka zënë vend në dyqanin e kompanisë duke sjellur kështu formën paraprake të sistemit operativ tek përdoruesit e platformës Windows Phone.
Për të filluar, së pari duhet të shkarkoni aplikacionin Windows Insider nga dyqani i platformës, por jo të gjithë do të jeni në gjendje të provoni sistemin Windows 10 tek telefonat që posedoni, pasi që Microsoft ka vendosur fillimisht që sistemi i tyre i ri operativ të jetë së pari tek përdoruesit e telefonave të mençur Lumia 630, Lumia 635, Lumia 636, Lumia 638, Lumia 730 dhe Lumia 830. Të gjithë përdoruesit e këtyre pajisjeve padyshim që do të jenë të kënaqur me pamjen paraprake të sistemit operativ Windows 10, i cili është ende duke u ndërtuar.
Microsoft ka thënë që versioni paraprak i Windows 10 për telefona të mençur sjell disa përmirësime dhe funksione të reja, por sigurisht jo të gjitha që do i ofrojë versioni i plotë i platformës së ardhshme nga kompania.
Më shumë informata rreth sistemit operativ Windows 10 për pajisje telefonike pritet të zbulohen gjatë Kongresit Botëror Mobil që do të mbahet në muajin Mars në Barcelonë. (ITshqip)