Sistemi operativ Windows 10 do të debutohet gjatë verës së këtij viti, njoftoi Microsoft.
Sistemi i ardhshëm operativ i gjigandit Microsoft, që tejkaloi një version numerik, do të jetë në dispozicion në 190 vende në 111 gjuhë të ndryshme, shkroi Terry Myerson, drejtori ekzekutiv për sisteme operative në një postim të bërë në blogun e kompanisë, transmeton ITshqip.
Windows 10 do të jetë lëshimi më i rëndësishëm nga Microsoft për këtë vit duke sjellur një mori funksionesh të reja. Ky sistem operativ ishte njoftuar qysh në prezantim se do të ofrohet falas për përdoruesit e platformave të mëparshme të kompanisë (Windows 7 dhe 8), ndonëse kompania së fundi njoftoi që do të ofrohet për një vit falas edhe për ata që përdorin sistem operativ të pirateruar. Megjithatë, nuk është kjo e tëra që Microsoft ofron për përdoruesit, gjigandi do të sjell edhe një shfletues të ri të quajtur Spartan, i cili tashmë ka ‘varrosur’ shfletuesin e kaluar të kompanisë, Internet Explorer.
Meyrson gjithashtu shpërndau edhe disa të reja të tjera interesante që përfshijnë gjigandin kinez për krijim të telefonave Xiaomi, telefonat e të cilit mund të jenë në gjendje të shkarkojnë dhe instalojnë sistemin operativ Windows 10 në versionin paraprak./ITshqip